Site icon Telegrafi

Shefi i ushtrisë gjermane bën thirrje për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes raketore

Kreu i forcave të armatosura gjermane, Carsten Breuer, ka bërë thirrje për zhvillimin e shpejtë të mbrojtjes raketore kundër kërcënimeve të mundshme nga Rusia.

“Ne kemi pesë deri në tetë vjet kohë. Ne duhet të zhvillojmë një sistem të mbrojtjes raketore brenda kësaj periudhe. Nuk ka alternativë tjetër”, tha Breuer.

“Ne besojmë se Rusia do të jetë në gjendje të bëjë luftë kundër shteteve të NATO-s brenda kësaj periudhe kohore. Deri atëherë, Gjermania duhet të jetë në një pozicion për të shmangur një sulm të tillë”, shtoi Breuer.

Sipas kreut të forcave gjermane, sulmi ndaj një vendi perëndimor është skenari më i keq që mund të ndodhë, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, nuk është e pamundur dhe mund të nis nga sulmet kibernetike e deri te dronët dhe raketat.

Gjithashtu, ai hodhi poshtë deklaratat e kreut të grupit parlamentar të Social Demokratëve, Rolf Mützenich, për lejimin e një konflikti të ngrirë në Ukrainë.

“Ngrirja e një lufte nënkupton pranimin e saj nga të dyja palët. Vështirë se ka një konflikt të ngrirë në botë që nuk është ndezur përsëri”, tha Breuer.

Ndryshe, qeveria gjermane ka krijuar një fond special prej 100 miliardë eurosh për të përmirësuar ushtrinë e vendit. /Telegrafi/

Exit mobile version