Telegrafi

Shefi i Sigurisë së Ukrainës: Kemi një mundësi historike, jemi gati për të realizuar kundërsulmin

Ukraina është gati të nisë kundërofensivën e shumëpritur, tha një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë në vend për bbc.

Oleksiy Danilov nuk donte të jepte një datë të saktë, por tha se sulmi për të rimarrë territoret nga forcat pushtuese të presidentit rus, Vladimir Putin mund të fillojë “nesër, pasnesër ose pas një jave”.

Ai paralajmëroi se qeveria ukrainase nuk ka të drejtë të bëjë një gabim në lidhje me vendimin, sepse kjo është një “mundësi historike” që “ne nuk mund ta humbim”.

Si sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Danilov është në qendër të kabinetit të luftës të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Gjatë intervistës, Danilov konfirmoi se disa nga forcat mercenare të Wagner po tërhiqeshin nga qyteti i Bakhmutit, vendi i betejës më të përgjakshme të luftës deri më tani – por shtoi se ata po rigrupoheshin në tre lokacione të tjera.

Ai tha gjithashtu se ishte “absolutisht i qetë” në lidhje me fillimin e vendosjes së armëve bërthamore nga Rusia në Bjellorusi, duke thënë se “nuk është lajm për ne”.

Ukraina ka planifikuar një kundërsulm prej muajsh, por dëshironte të përfitonte sa më shumë kohë që të ishte e mundur për të trajnuar trupat dhe për të marrë pajisje ushtarake nga aleatët perëndimorë. /Telegrafi/