Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka deklaruar se problemi i sigurisë botërore të ushqimit nuk mund të zgjidhet pa rikthimin në tregje të prodhimit bujqësor ukrainas dhe rus, si dhe plehrave kimike.
Guterres ka shtuar se pushtimi rus i Ukrainës ka shtuar paqëndrueshmërinë në tregjet financiare, ku sipas tij ka rritur çmimet e mallrave dhe ndikuar në logjistikën, si dhe penguar potencialisht rimëkëmbjen ekonomike nga COVID-19 në shumë vende.
Ai u shpreh i vendosur të lehtësonte dialogun për të ndihmuar në arritjen e këtyre qëllimeve. Vendet në mbarë botën mund të përballen me mungesa edhe më të rënda ushqimore në vitin 2022 me krizën e vazhdueshme Rusi-Ukrainë që do të ketë ndikimin më të madh në vendet me të ardhura më të ulëta, ka paralajmëruar një raport i sapo publikuar i Kombeve të Bashkuara.
Raporti, i përgatitur nga 17 agjenci, përfshirë Programin Botëror të Ushqimit dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, mbulon situatën ushqimore të 53 vendeve në vitin 2021 dhe parashikon situatën në 2022 për 41 vende.
Vitin e kaluar, 193 milionë njerëz në 53 vende ishin në rrezik të pasigurisë ushqimore, një rritje e konsiderueshme nga viti 2020, ndërsa situata botërore e sigurisë ushqimore pritet të përkeqësohet në vitin 2022. Gjithashtu, konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës pritet të reduktojë më tej sigurinë botërore të ushqimit. /Telegrafi/