Telegrafi

Shefi i NATO-s, Stoltenberg: Ukraina sot ka nevojë për më shumë armë

Ukraina ka nevojë për “rritje të konsiderueshme” të armëve në një moment kyç të luftës, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Duke folur me gazetarët në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Stoltenberg tha se një mbështetje e tillë ishte e vetmja rrugë drejt një zgjidhjeje paqësore të negociuar me Rusinë.

“Presidenti Putin nuk ka treguar asnjë shenjë të përgatitjes për paqe dhe për këtë arsye duhet të kuptojmë se nuk mund të fitojë në fushën e betejës. Ky është një moment kyç në luftë dhe duhet ta rritim mbështetjen për Ukrainën. Nëse duam një zgjidhje paqësore të negociuar nesër, na duhet të sigurojmë më shumë armë sot”, pohoi ai.

Aleatët perëndimorë do të mblidhen të premten në një bazë ajrore amerikane në Gjermani për të premtuar më shumë armë për Ukrainën.

Vëmendja përqendrohet veçanërisht te Gjermania, e cila ka të drejtën e vetos mbi çdo vendim për të dërguar tanket e saja Leopard, të cilat shihen gjerësisht si më të përshtatshme për Ukrainën.

Berlini thotë se vendim për dërgimin e tankeve do të jetë pika e parë në agjendën e Boris Pistorius, i cili u emërua ministri i ri gjerman i mbrojtjes.

Gjatë fundjavës, Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do të dërgonte 14 tanke Challenger 2 në Ukrainë për të ndihmuar në përballimin e pushtimit rus “në javët e ardhshme”. /Telegrafi/