Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u ka kërkuar vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerëve të tjerë perëndimorë që të dërgojnë më shumë ndihmë në Ukrainë me afrimin e dimrit.
Duke folur pas një takimi me presidentin letonez Edgars Rinkevics në bazën ushtarake Adazi, Rutte paralajmëroi se presidenti rus, Vladimir Putin do të “përdorte dimrin si armë”.
Rutte paralajmëroi se Rusia do të përpiqet të shkatërrojë sistemin elektrik të Ukrainës, shkruan yahoonews.
“Kjo është arsyeja pse ne të gjithë duhet të rrisim ndihmën për Ukrainën, duke përfshirë mbrojtjen ajrore, për të mbrojtur infrastrukturën kritike”, tha ai.
Anëtarët e NATO-s duhet gjithashtu të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe të nxisin prodhimin e armëve.
Rutte dhe Rinkevics morën pjesë në stërvitjen e brigadës shumëkombëshe të NATO-s të stacionuar në Letoni, e cila po ushtrohej së bashku në gatishmëri të plotë për herë të parë.
Në stërvitjen “Resolute Warrior” morën pjesë gati 3500 ushtarë nga 13 vende të NATO-s. /Telegrafi/