Telegrafi

Shefi i NATO-s i kërkon Perëndimit të rrisë prodhimin e armëve për të mbështetur Ukrainën

Aleatët perëndimorë duhet të rrisin prodhimin e armëve në muajt e ardhshëm në mënyrë që të vazhdohet të furnizohet me muniucion Ukraina në luftën kundër Rusisë, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ky i fundit deklaroi se kriza e vazhdueshme po konsumonte sasi të madhe municionesh, mes shenjave që presidenti rus, Vladimir Putin është i interesuar për një luftë më të gjatë.

Ai tha gjithashtu se aleatët e NATO-s duhej të ruanin rezervat e tyre të armëve, si dhe të vazhdonin të furnizonin qeverinë në Kiev me armatimet që i nevojiteshin, raporton skynews.

“Për artilerinë, ne kemi nevojë për një sasi të madhe municionesh, kemi nevojë për pjesë rezervë, kemi nevojë për mirëmbajtje. Kjo është një ndërmarrje e madhe. Ne duhet të rrisim prodhimin dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjnë aleatët e NATO-s. Është një përgjegjësi thelbësore për NATO-n të sigurojë rezerva, furnizime, armë për mbrojtjen tonë, por gjithashtu të jemi në gjendje të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për Ukrainën për një kohë të gjatë”, pohoi norvegjezi.

Stoltenberg tha gjithashtu se ndërsa ukrainasit po fitojnë terren në javët e fundit, ka indikacione se rusët po rigrupoheshin për një ofensivë të përtërirë.

“Rusia nuk ka treguar asnjë shenjë se ka hequr dorë nga qëllimi i saj i përgjithshëm për të marrë kontrollin mbi Ukrainën”, tha ai.

“Forcat ukrainase kanë pasur momentumin për disa muaj, por ne gjithashtu e dimë se Rusia ka mobilizuar shumë më tepër forca. Shumë prej tyre tani janë duke u trajnuar. E gjithë kjo tregon se ata janë të përgatitur për të vazhduar luftën”, tha ai.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të mëdha materiale. /Telegrafi/