Inteligjenca ruse është po aq aktive në Gjermani sa ishte “gjatë kohës së Luftës së ftohtë”, tha kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Gjermanisë (BfV), Thomas Haldenwang në komentet e botuara nga gazeta gjermane Welt am Sonntag.
Haldenwang thotë se Kremlini ka interes për të spiunuar Gjermaninë në pothuajse të gjitha fushat, kryesisht në ekonomi e politik.
“Rusia ka rritur ndjeshëm aktivitetin e saj. Deri më tani, ne kemi njohur vetëm spiunimin e kryer gjatë kohës së Luftës së Ftohtë”, u shpreh Haldenwang për gazetën gjermane.
Ai tha se Rusia po përdorte agjentë për të “vendosur kontakte me deputetë e persona të rëndësishëm në politikë”.
“Metodat e Moskës po bëhen më të ashpra dhe me mjete më brutale”, shtoi eksperti i inteligjencës, duke përmendur vrasjen e një gjeorgjiani në Berlin në vitin 2019, për të cilën Agjencia ka fajësuar qeverinë ruse.
President i Agjencisë së Inteligjencës së Gjermanisë për jashtë vendit (BND), Bruno Kahl tha se Gjermania duhet “të mendojë për vendet e tjera që duan të forcohen në ekonomi e ndikim politik”.
Duke iu referuar Kinës dhe Rusisë, Kahl tha, se “po bëhen përpjekje me të gjitha metodat e mundshme për të siguruar përparësi”, dhe “për të ndezur keqkuptimet midis shteteve të zhvilluara”. /Deutsche Welle/