Shefi i Dumës ka kërcënuar të gjithë ata qytetarë rusë, që po e braktisin vendin dhe me çdo kusht po shmangin mobilizimin.
Vyacheslav Volodin, kryetar i Parlamentit të Rusisë – Dumës, në Telegrafm ka bërë të ditur se rusët nuk do të duhej të iknin nga Rusia – duke shpresuar që të shmangun mobilizimin që me ligj edhe dënohet, transmeton Telegrafi.
“Qytetarët që janë lajmëruar për evidentim në ushtri, nga momenti i shpalljes së mobilizimit, u është ndaluar të largohen nga vendi pa leje të veçantë nga eprorët ushtarakë. Ekzistojnë ligje dhe norma që duhet t’i respektojnë të gjithë rezervistët”, ka shtuar Volodin.
Kujtojmë se që nga shpallja e mobilizimit të pjesshëm me dekret të presidentit rus Vladimir Putin, dhjetëra mijëra qytetarë të këtij vendi ia kanë mësyrë shteteve fqinje siç është Gjeorgjia e Armenia.
Në kufirin Rusi-Gjeorgji janë krijuar kolona të veturave civile deri në 18 kilometra, e shumica e atyre që po ikin janë kundër dërgimit në luftë.
Madje shumë prej tyre po e cilësojnë mobilizimin të padrejtë, pasi po besojnë se ata nuk janë sulmuar e pushtuar nga askush – përkundrazi janë rusët që kanë pushtuar shtetin fqinj, Ukrainën. /Telegrafi/