Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg është shprehur se Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina. Ai kërkoi liberalizim të vizave me Kosovën dhe hapje të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në një konferencë donatorësh të organizuar në Berlin (05.04.) për të ndihmuar Moldavinë, një vend i vogël me vetëm 2,6 milionë banorë, por që ka pritur deri tani 370 mijë refugjatë, ministri i Jashtëm austriak, Schallenberg ka folur edhe për Ballkanin Perëndimor.
“Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina, por edhe nga Kaukazi jugor, nga Ballkani Perëndimor, dhe Republika e Moldavisë”, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm austriak, shkruan agjencia Reuters, transmeton DW.
Schallenberg kërkoi nga BE që të hapë sa më shpejt negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Unë pres që kjo të bëhet ende nën presidencën franceze”, tha Schallenberg. Por presidenca franceze merr fund në qershor.
Po ashtu ministri i Jashtëm austriak, Schallenberg ka kërkuar që të liberalizohen vizat sa më shpejt me Kosovën.
“Kosova edhe Bosnje-Hercegovina duhet të marrin po ashtu një perspektivë anëtarësimi. Bëhet fjalë nëse këto gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor do të mbeten në rrugën europiane të demokracisë e lirisë apo jo”, tha Schallenberg duke kujtuar influencën e Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera në rajon.
BE nuk duhet të harrojë, se procese të mëparshme anëtarësimi kanë çuar në forcimin e zhvillimeve demokratike tek vendet e sotme anëtare, tha Schallenberg.
“Pa anëtarësimin në BE, vendet europianolindore sot ndoshta do të ishin në një gjendje tjetër edhe më të vështirë”, u shpreh Schallneberg, duke pasur parasysh Rusinë. /dw/