SHBA do të transferojë mijëra armë dhe municione të sekuestruara iraniane në Ukrainë, në një lëvizje që mund të ndihmojë në zbutjen e disa prej mungesave kritike me të cilat përballet ushtria ukrainase ndërsa ajo pret më shumë para dhe pajisje nga SHBA dhe aleatët e saj, thanë zyrtarët amerikanë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Komanda Qendrore e SHBA-së ka transferuar tashmë mbi një milion fishekë municionesh të sekuestruara iraniane tek forcat e armatosura të Ukrainës, njoftoi ajo të mërkurën.
Transferimi u krye të hënën, tha CENTCOM në një njoftim për shtyp.
“Qeveria fitoi pronësinë e këtyre municioneve më 20 korrik 2023, nëpërmjet pretendimeve të Departamentit të Drejtësisë për konfiskim civil kundër Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC)”, thuhet në deklaratë.
Departamenti i Drejtësisë njoftoi në korrik se po kërkonte konfiskimin e “mbi 9,000 pushkëve, 284 mitralozëve, afërsisht 194 raketahedhësve, mbi 70 raketave të drejtuara antitank dhe mbi 700,000 fishekë municionesh” të sekuestruara nga Irani nga Marina e SHBA-së.
“Këto municione fillimisht u kapën nga forcat detare të Komandës Qendrore të SHBA-së nga anijet tranzituese më 9 dhjetor 2022. Municionet po transferoheshin nga IRGC te Houthit në Jemen, në kundërshtim me Rezolutën 2216 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/