Telegrafi

SHBA-të falënderojnë Kosovën për afganët: Dëshmuat lidership në skenën botërore

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett ka falënderuar Kosovën dhe qytetarët e saj për gatishmërinë për t’u ofruar strehë afganëve në udhëtimin e tyre drejt një jete të re.

Kosnett në një postim në Twitter shkruan se me këtë Kosova dëshmon lidership në skenën botërore.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara, falënderimet e mia më të thella për qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë tuaj për t’u ofruar strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jete të re. Edhe një herë, Kosova demonstron lidership në skenën globale”, shkruan Kosnett në Twitter.

Lidhur me strehimin e afganëve është deklaruar sot edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai ka shprehur keqardhjen e tij për situatën e krijuar në Afganistan, duke thënë se shpreson që të ketë sa më pak viktima ditëve në vijim.

Kurti deklaroi se ka një muaj që kanë zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për strehimin e refugjatëve nga Afganistani në Kosovë, transmeton Telegrafi.

“Qytetarët kudo në botë jo vetëm që e meritojnë por edhe iu takon demokracia, liritë dhe të drejtat, dhe ne shpresojmë dhe urojmë më të mirën për qytetarët e Afganistanit. Në anën tjetër, ka një muaj që Qeveria e Kosovës është në kontakt me SHBA-në, për të përgatitur në aspektin organizativ, strehimin dhe mbrojtjen e një numri refugjatëve të Afganistanit. Ne jemi shtet serioz, këtë punë e kemi bërë pa zhurmë dhe më shumë suksese, pasi çështja e tyre është e dhimbshme dhe ndjeshme e sigurisë”, deklaroi Kurti. /Telegrafi/