Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken është takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në pallatin presidencial në Kiev.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Zelensky falënderoi Blinkenin për mbështetjen e Uashingtonit për përpjekjet luftarake të Ukrainës.
“Jemi të lumtur që nuk jemi vetëm. Gjatë këtij dimri, ne do të shkojmë me partnerët tanë”, tha Zelensky.
“Faleminderit për mbështetjen tuaj financiare, është thelbësore”, shtoi ai.
Ndërsa duke iu përgjigjur Zelenskyt, Blinken tha: “Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të ecim krah për krah me ju.
“Presidenti [Joe] Biden më kërkoi të vij për të riafirmuar fuqishëm mbështetjen tonë, për t’u siguruar që po maksimizojmë përpjekjet që po bëjmë, që po bëjnë vendet e tjera, për sfidën e menjëhershme të kundërsulmit, si dhe përpjekjet afatgjata për të ndihmuar Ukrainën të ndërtojë një forcë për të ardhmen që mund të pengojë dhe mbrojë kundër çdo veprimi të ardhshëm”, citohet të ketë thënë më tej ai. /Telegrafi/