Site icon Telegrafi

SHBA do të dërgojë një tjetër sistem Patriot në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një sistem tjetër raketor Patriot në Ukrainë.

Kështu raporton AP, duke u bazuar në deklaratat e zyrtarëve amerikanë, përcjell Telegrafi.

“Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë Ukrainës një sistem tjetër raketor Patriot, thanë të martën dy zyrtarë amerikanë, duke iu përgjigjur thirrjeve të dëshpëruara të Kievit për më shumë mbrojtje ajrore ndërsa lufton kundër një sulmi intensiv rus në rajonin verilindor të Kharkivit”, thuhet në raport.

Zyrtarët kanë bërë të ditur se presidenti Joe Biden e ka miratuar masën.

Ky do të ishte sistemi i dytë Patriot që SHBA i ka dhënë Ukrainës, megjithëse Pentagoni ka ofruar në mënyrë rutinore një numër të pazbuluar raketash për sistemin.

Aleatët e tjerë, përfshirë Gjermaninë, gjithashtu kanë siguruar sisteme të mbrojtjes ajrore si dhe municione për ta.

Agjencia e lajmeve shtoi se SHBA-ja është e kujdesshme për të dhënë shumë sisteme Patriot, pasi ato përdoren në të gjithë botën për të mbrojtur forcat dhe aleatët e SHBA-së. /Telegrafi/

Exit mobile version