Shtetet e Bashkuara do ta shpallin grupin rus “Wagner”, i cili besohet se ka mijëra mercenarë në Ukrainë, si një “organizatë kriminale transnacionale”.
Ajo gjithashtu do të vendosë sanksione të reja ndaj grupit dhe rrjetit mbështetës, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
“Grupi po kryen mizori dhe shkelje të të drejtave të njeriut në Ukrainë dhe gjetkë”, tha para gazetarëve zëdhënësi i sigurisë kombëtare amerikane, John Kirby. Ai shtoi se tani ka rreth 50 mijë mercenarë të Wagnerit në Ukrainë.
Emërtimi i ri do t’i lejojë qeverisë amerikane të aplikojë sanksione më të gjera kundër grupit paraushtarak, i cili ka operuar gjithashtu në Siri, Libi dhe Republikën e Afrikës Qendrore, mes pikave të tjera të nxehta.
Sipas Kirby, afërsisht 80 për qind e trupave të Wagnerit të dislokuara në Ukrainë janë të ish të burgosur.
Ai shtoi se grupi është bërë një rival i forcave të rregullta ushtarake ruse dhe se SHBA beson se ka “tensione në rritje” midis zyrtarëve rusë dhe themeluesit të diskutueshëm të Wagnerit, biznesmenit dhe aleatit të Vladimir Putinit, Yevgeny Prigozhin.
Autoritetet amerikane sugjeruan gjithashtu se Prigozhin mund të ketë udhëhequr trupat e Wagner në ofensivën Bakhmut në një përpjekje për të kontrolluar minierat e kripës dhe gipsit të zonës. /Telegrafi/