Telegrafi

SHBA premton më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën, paqja duket e largët

Shtetet e Bashkuara premtuan më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë dronët, ndërsa luftimet vazhduan në lindje, me luftën që po hyn në muajin e saj të gjashtë.

Siç edhe është bërë e ditur, Moska dhe Kievi nënshkruan një marrëveshje historike të premten për të zhbllokuar eksportet e grurit nga portet e Detit të Zi.

Megjithatë, përfaqësuesit nuk pranuan të ulen në të njëjtën tryezë dhe shmangën shtrëngimin e dorës në ceremoninë e marrëveshjes në Stamboll, duke reflektuar një armiqësi më të gjerë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti marrëveshjen e së premtes si zhbllokimin e eksporteve të grurit me vlerë rreth 10 miliardë dollarë, të nevojshme për të lehtësuar krizën ushqimore.

Por për luftën, Zelenskiy tha se nuk mund të kishte armëpushim nëse nuk rimarrin territorin e humbur.

“Ngrirja e konfliktit me Federatën Ruse do të thotë një pauzë që i jep Federatës Ruse një pushim”, tha ai për Wall Street Journal.

“Shoqëria beson se të gjitha territoret duhet të çlirohen së pari, dhe më pas ne mund të negociojmë se çfarë të bëjmë dhe si mund të jetojmë në shekujt e ardhshëm”.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten 270 milionë dollarë në mbështetje të re për Kievin, duke thënë se po “e shqyrtonte mundësinë nëse do të dërgonte aeroplanë luftarakë”, megjithëse një lëvizje e tillë nuk do të ndodhte në një afat të afërt.

Fillimi i agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt ka shkaktuar konfliktin më të madh të Evropës që nga viti 1945, duke detyruar miliona të ikin dhe duke i kthyer qytete të tëra në gërmadha.

Kremlini thotë se është i përfshirë në një “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar dhe “denazifikuar” Ukrainën. E Kievi dhe aleatët e tij thonë se lufta është një akt i paprovokuar agresioni. /Telegrafi/