Telegrafi

SHBA po shqyrton dërgimin e pajisjeve të mbrojtjes ajrore HAWK për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë dërgimin e pajisjeve të mbrojtjes ajrore HAWK nga magazinimi në Ukrainë për ta ndihmuar atë të mbrohet nga sulmet me dron dhe raketa ruse.

Kështu kanë bërë të ditur dy zyrtarë amerikanë për Reuters, përcjell Telegrafi.

Siç thuhet më tej, administrata e Biden do të përdorte Autoritetin Presidencial të tërheqjes (PDA) për të transferuar pajisjet HAWK e cila bazohet në teknologjinë e epokës së Vietnamit, por që është përmirësuar disa herë.

PDA lejon SHBA të transferojë artikujt dhe shërbimet e mbrojtjes nga stoqet shpejt pa miratimin e Kongresit në përgjigje të një emergjence.

Reuters nuk ishte në gjendje të përcaktonte se sa sisteme dhe raketa HAWK kanë në dispozicion Shtetet e Bashkuara për të transferuar.

Ndërkaq Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të komentojë.

Sistemi HAWK është paraardhësi i sistemit të mbrojtjes raketore PATRIOT i prodhuar nga Raytheon Technologies, i cili mbetet “jashtë tryezës” për Ukrainën, thanë zyrtarët amerikanë për Reuters.

Presidenti i SHBA Joe Biden iu zotua presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy se Uashingtoni do t’i sigurojë Ukrainës sisteme të avancuara ajrore pas një breshërie shkatërruese raketore nga Rusia në fillim të këtij muaji.

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainën fqinje më 24 shkurt, të cilin Moska e quan një “operacion ushtarak special”, SHBA-ja ka dërguar rreth 17.6 miliardë dollarë ndihmë sigurie në Kiev. /Telegrafi/