Telegrafi

SHBA: Nëse Rusia përdor bombë të pistë, do të përballet me pasoja

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka deklaruar sot se Rusia do të përballet me pasoja, nëse përdor “bombën e pistë” ose një armë  bërthamore.

Në anën tjetër, kreu i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, ka mohuar kategorikisht pretendimet e rusëve se Ukraina planifikon përdorimin e një “bombe të pistë”, transmeton Telegrafi.

I pyetur nëse Uashingtoni do të trajtonte përdorimin e një “bombe të pistë” në të njëjtën mënyrë si përdorimin e një bombe bërthamore, Price tha se “do të kishte pasoja” për Rusinë në çdo rast.

“Nëse përdor bombë të pistë apo bërthamore, ne kemi qenë dhe jemi të qartë sa i përket kësaj çështje”, shtoi Price para gazetarëve.

E kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se anëtarët e aleancës së NATO-s mohojnë kategorikisht akuzat se Ukraina po bëhet gati të përdorë “bombën e pistë” në territorin e saj, në mënyrë që ta fajësojë Rusinë për kontaminimin radioaktiv.

“Aleanca e NATO mohon akuzat ruse. Rusia nuk guxon ta përdor këtë si pretekst për esklaim”, shtoi Stoltenberg.

Aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë mohuar mundësinë që Kievi po prodhon apo planifikon të përdor “bombë të pistë”, armë konvencionale që është e mbështjellë me material bërthamor.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë se akuzat ndaj tyre janë shenjë që Moska planifikon të kryej një sulm të tillë dhe të fajësojë Kievin. /Telegrafi/