SHBA-ja ka zgjeruar sanksionet e saj ndaj Rusisë, duke përfshirë shënjestrimin e kompanive me bazë në Kinë që shesin gjysmëpërçues në Moskë.
Bëhet e ditur se gjysmëpërçuesit janë gjetur në një gamë të gjerë pajisjesh ruse, nga dronët tek radiot, raketat dhe automjetet e blinduara, të gjetura në fushën e betejës.
Thesari i SHBA-së tha se kjo po rrit “rrezikun e sanksioneve dytësore për institucionet e huaja financiare që merren me ekonominë e luftës së Rusisë”, duke kërcënuar në mënyrë efektive të revokojë qasjen e Moskës në sistemin financiar të SHBA-së.
Ai tha gjithashtu se po lëviz për të kufizuar aftësinë e Rusisë për të përdorur programe të caktuara dhe shërbime të IT-së dhe së bashku me Departamentin e Shtetit po synon më shumë se 300 individë dhe subjekte në Rusi dhe në të gjithë Azinë, Evropën dhe Afrikën, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Për më tepër, Departamenti i Tregtisë tha se po synon kompanitë në Hong Kong, duke ndërmarrë hapa që do të prekin gati 100 milionë dollarë artikuj, duke përfshirë çipat.
“Ne i përshëndesim veçanërisht masat e ashpra kundër bazës së mbrojtjes-industriale të Rusisë dhe qasjes së saj në teknologji dhe burime jashtë vendit”, tha Dmytro Kuleba, Ministri i Jashtëm i Ukrainës.
“Çdo subjekt që ndihmon Rusinë në prodhimin e armëve duhet t’i nënshtrohet presionit më intensiv”, shtoi ai. /Telegrafi/