Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur sanksione të tjera kundër gazsjellësit të kontestueshëm “Nord Stream II”.
Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se sanksionet kanë të bëjnë me ndërmarrjen Transadria dhe anijen e saj “Merlin”. Sanksionet e vendosura deri tani përfshijnë tetë persona ose objekte si dhe 17 anije.
Sekretari Antony Blinken theksoi se, administrata amerikane vazhdon të jetë kundër projektit të gazsjellësit.
“SHBA-ja është duke punuar me Gjermaninë dhe aleatët e tjerë për të ulur rreziqet që projekti shkakton për Ukrainën dhe vendet e tjera”, tha Blinken.
Sidoqoftë, administrata në SHBA heq dorë nga vendosja e dënimeve të ashpra, që do ta çonin projektin drejt dështimit. Sanksionet e reja nuk kanë faktikisht ndonjë ndikim të madh mbi projektin.
Pikat më të rëndësishme në kontradiktat midis Washingtonit dhe Berlinit
SHBA kanë vendosur në të kaluarën disa sanksione kundër firmave, anijeve dhe personave të veçantë që marrin pjesë në “Nord Stream II”. Sanksionet që vendosen tani kanë të bëjnë me një raport të ri që DASH, i dërgoi Kongresit amerikan lidhur me gazsjellësin.
Gjatë periudhës së presidencës së Donald Trumpit, gazsjellësi ka qenë një nga pikat më të rëndësishme të kontradiktave midis Washingtonit dhe Berlinit. Administrata e Trumpit vendosi në fund të vitit 2019 sanksione, që çuan në ndërprerjen e punimeve të gazsjellësit.
Aktualisht, Bideni po ashtu si Trump është i mendimit se nëpërmjet gazsjellësit Gjermania dhe Evropa bien në varësi të madhe ndaj Rusisë për furnizimin me energji. Korrikun e kaluar, SHBA e drejtuar nga Bideni arriti një marrëveshje me Gjermaninë për projektin.
Ndërtimet kanë marrë fund, vënia në punë ende e pamundur
Të dy vendet publikuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën u shpreh përkrahje ndaj Ukrainës. Administrata amerikane pranoi se nuk do të vazhdojë të pengojë gazsjellësin dhe hoqi dorë nga vendosja e sanksioneve të mëdha, si për shembull kundër ndërmarrjes që do të verë në punë gazsjellësin, e cila është regjistruar në Zvicër. Ajo është ndërmarrje satelite e koncernit rus të gazit Gazprom.
Punimet për ndërtimin e “Nord Stream II” kanë përfunduar në muajin shtator. Ato patën filluar në maj 2018. Me anë të gazsjellësit 1,200 kilometra të gjatë, i cili përbëhet tani nga dy tubacione, Gjermania pritet të marrë nga Rusia më shumë gaz se deri tani.
Por, është ende e paqartë se kur do të rrjedhë vërtet gaz nëpër tubacione.
Javën e kaluar Agjencia Federale e Rrjetit, kërkoi paraprakisht një proces certifikimi të domosdoshëm për arsye formale. /Deutsche Welle/