SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj një grupi izraelit që thotë se ka sulmuar autokolonat e ndihmave humanitare që shkojnë në Gazë.
Departamenti i Shtetit tha se asetet amerikane të Tzav 9, organizatë kjo e lidhur me rezervistët izraelitë dhe kolonët e Bregut Perëndimor, do të ngrihen.
Bëhet e ditur se për disa muaj aktivistët izraelitë kanë penguar autokolonat e ndihmave të destinuara për palestinezët në Rripin e Gazës.
Më 13 maj, protestuesit u filmuan duke sulmuar dy kamionë në Bregun Perëndimor, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Në atë kohë, Tzav 9 tha se disa nga veprimet e protestuesve “nuk ishin në përputhje me vlerat e lëvizjes”.
Por shtoi se “bllokimi i kamionëve është një hap efektiv dhe praktik”, duke theksuar se “asnjë ndihmë nuk do të kalojë derisa të kthehet i fundit nga pengjet”.
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit tha se sanksionet amerikane po vendosen sipas një urdhri ekzekutiv mbi dhunën në Bregun Perëndimor, të nënshkruar nga presidenti Joe Biden.
“Për muaj të tërë, individë nga Tzav 9 kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur të pengojnë dërgimin e ndihmave humanitare në Gazë, duke përfshirë bllokimin e rrugëve, ndonjëherë me dhunë, përgjatë rrugës së tyre nga Jordania në Gazë, duke përfshirë kalimin tranzit në Bregun Perëndimor”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.
Gjithashtu Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) janë akuzuar edhe për ndalimin e ndihmës – një akuzë që ato e mohojnë.
Ndryshe, OKB-ja ka paralajmëruar se mbi një milion njerëz në Gaza mund të përballen me uri deri në mes të korrikut nëse nuk lejohet më shumë ndihma në rrip. /Telegrafi/