SHBA-ja ka propozuar një “gjuhë” të re për të kapërcyer boshllëqet në diskutimet për një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit, ka njoftuar një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Propozimi trefazor izraelit, i përshkruar nga presidenti amerikan, Joe Biden, muajin e kaluar, përcakton kushtet që synojnë të çojnë në lirimin përfundimtar të të gjithë pengjeve të mbetura që mbahen nga Hamasi, në këmbim të një armëpushimi të përhershëm dhe tërheqjes së forcave izraelite nga Gaza.
Por, duke shuar shpresat për një përparim, në fillim të këtij muaji Hamasi iu përgjigj propozimit izraelit me amendamente të mëtejshme.
Izraeli gjithashtu nuk e ka pranuar publikisht planin, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se tani SHBA-ja po e shtyn Egjiptin dhe Katarin që të bëjnë presion ndaj Hamasit për të pranuar ndryshimin e gjuhës.
Siç raportohet, nëse Hamasi e pranon gjuhën e re, do të lejojë arritjen e një marrëveshjeje.
Gjuha e re e prezantuar nga SHBA-ja fokusohet në periudhën e fazës së parë të propozimit ku Izraeli dhe Hamasi pritet të fillojnë më shumë negociata me synimin për të aktivizuar një fazë të dytë.
Gjuha e propozuar amerikane synon të kapërcejë një mosmarrëveshje aktuale të shkaktuar nga kërkesat e Hamasit që negociatat për fazën e dytë të fokusohen vetëm në numrin dhe identitetin e të burgosurve palestinezë të liruar nga burgjet izraelite si pjesë e marrëveshjes.
Ndryshe, Hamasi ka bërë thirrje për një fund të përhershëm të luftës dhe një tërheqje të plotë ushtarake izraelite, ndërsa politikanët izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, janë zotuar për vazhdimin e luftës derisa Hamasi të eliminohet. /Telegrafi/