SHBA-ja ka ndarë një paketë të re ndihme ushtarake me vlerë prej 500 milionë dollarësh për Ukrainën, në përpjekje për të mbështetur qëndrueshmërinë dhe aftësitë mbrojtëse të këtij vendi përballë agresionit rus.
Këtë lajm e ka bërë publik Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke theksuar përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.
Sipas deklaratës së Blinken, paketa përfshin një gamë të gjerë pajisjesh dhe materialesh ushtarake, gjegjësisht municione për sistemet raketore HIMARS MLRS, municione artilerie të avancuara, dronë që mund të përdoren për zbulim dhe sulme precize, si dhe mjete të blinduara për transportin e trupave dhe mbrojtjen e tyre në fushën e betejës, shkruan reuters.
Gjithashtu, paketa do të përfshijë pajisje dhe materiale të posaçme për të mbrojtur forcat ukrainase kundër kërcënimeve nga sulmet kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore, duke pasur parasysh rreziqet që këto armë përbëjnë.
Kjo është paketa e tretë e ndihmës ushtarake që Uashingtoni ka ndarë për Ukrainën që nga fillimi i dhjetorit, duke rritur kështu mbështetjen në një periudhë kritike të konfliktit.
Ndihma e vazhdueshme nga SHBA-ja synon të përmirësojë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe të dërgojë një mesazh të qartë solidariteti ndaj aleatëve të saj ndërkombëtarë.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/