Site icon Telegrafi

SHBA-ja i kërkon sërish Kosovës shtyrjen e afatit për targa, i quan akte kriminale djegiet e veturave në veri

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i ka cilësuar si akte frikacake dhe kriminale djegien e veturave me targa RKS në veri.

Përmes një postimi në Twitter, ai edhe njëherë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë afatin për konvertimin e targave.

Tutje, ambasadori amerikan ka thënë se SHBA-ja “dënon djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturës RKS sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale”.

Ai ka ripërsëritur kërkesën e SHBA-së është që zbatimi i vendimit për të konvertuar targat ilegale në RKS të shtyhet për 12 muaj, ndërsa ka pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë ndryshimin e targave.

“Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”, ka shkruar Hovenier.

Ndryshe, që nga 1 shtatori, në veri të vendit janë regjistruar katër raste të djegies së veturave apo pronës së qytetarëve, të cilët i kanë konvertuar targat e veturave nga ato ilegale që lëshohen nga Serbia, në legale të Republikës së Kosovës – RKS.

Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët kanë thënë se Serbia dhe strukturat “ilegale” në veri, po tentojnë të frikësojnë qytetarët, të cilët po e zbatojnë ligjin dhe po i konvertojnë targat.

Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin në tri faza për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS. Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS. /Telegrafi/

Exit mobile version