Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po punojnë me Kievin për të gjetur një zgjidhje rreth eksportimit të grurit në botë pasi Rusia u tërhoq nga marrëveshja që kishte lejuar drithërat ukrainas të transportoheshin përmes Detit të Zi, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
“Ne po punojmë me partnerët tanë të BE-së, po punojmë me Ukrainën dhe partnerë të tjerë evropianë për të parë nëse ka mënyra të tjera për të nxjerrë grurin në treg. Por, kjo nuk është aq efikase”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.
“Mënyra më e mirë që ky grurë të dal në treg është përmes korsive detare”, tha ai.
“Por, ne po punojmë për të parë se çfarë mund të bëjmë”, pohoi Kirby, raporton cnn.
SHBA ka paralajmëruar më parë se Rusia mund të sulmojë anijet civile në Detin e Zi dhe të fajësojë Ukrainën.
Kujtojmë se marrëveshja e parë u ndërmjetësua nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, e cila siguronte transport të sigurt të grurit nga portet ukrainase.
Drithërat e Ukrainës luajnë rol të madh në furnizimet globale, veçanërisht për vendet në zhvillim. /Telegrafi/