Inteligjenca amerikane ka vlerësuar se inteligjenca ruse qëndron pas një sulmi të fundit në Moskë ndaj fituesit të çmimit Nobel dhe njëherësh gazetarit të pavararur rus Dmitry Muratov, i cili ka folur publikisht kundër luftës së presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, redaktori i gazetës së pavarur ruse, Novaya Gazeta, u sulmua teksa udhëtonte me një tren nga Moska në Samara më 7 prill nga një sulmues i panjohur, i cili derdhi bojë vaji të kuqe të përzier me aceton në ndarjen e trenit.
“Sytë digjen tmerrësisht”, tha Muratov në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të gazetës.
Sulmuesi bërtiti, “Muratov, kjo është për djemtë tanë”, në një referencë të dukshme për forcat ruse që luftojnë në Ukrainë, shkroi ai.
“Shtetet e Bashkuara mund ta konfirmojnë se inteligjenca ruse orkestroi sulmin e 7 prillit ndaj kryeredaktorit të Novaya Gazeta, Dmitriy Muratov, në të cilin ai u spërkat me bojë të kuqe që përmban aceton”, tha një zyrtar amerikan në një deklaratë.
Zyrtari amerikan nuk dha detaje sesi SHBA-ja arriti vlerësimin e saj, dhe nuk dha detaje se cili krah i inteligjencës ruse e kishte organizuar sulmin.
Një zëdhënës i Novaya Gazeta duket se hodhi dyshime mbi vlerësimin e SHBA në një deklaratë për CNN.
“Ne kemi identifikuar sulmuesit, kështu që tani është e qartë se çfarë e pengon Ministrinë e Punëve të Brendshme ta hapë atë”, tha zëdhënësja e gazetës, Nadezhda Prusenkova.
“Ne nuk e dimë nëse ekziston një ‘njësi e qelbur’ në inteligjencë që është e përfshirë në sulme të tilla. Por ne kemi përvojë të sulmeve të tilla në redaksinë dhe nuk kishte të bënte inteligjenca në atë kohë.” /Telegrafi/