SHBA-ja ka bërë thirrje për të votuar rezolutën e paraqitur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (KSOKB) që mbështet propozimin për një armëpushim të përhershëm dhe lirimin e pengjeve në Gazë.
“Izraeli e ka pranuar këtë propozim dhe Këshilli i Sigurimit ka një mundësi të flasë me një zë dhe t’i bëjë thirrje Hamasit të bëjë të njëjtën gjë”, tha në një deklaratë Nate Evans, zëdhënësi i Misionit të SHBA-së në Kombet e Bashkuara.
“Të bësh këtë do të ndihmonte në shpëtimin e jetëve dhe vuajtjeve të civilëve në Gazë, si dhe të pengjeve dhe familjeve të tyre”, tha ai, duke shtuar se anëtarët e këshillit nuk duhet ta lënë këtë mundësi “të kalojë”.
Bëhet e ditur se koha e votimit nuk është e qartë, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Por, dihet se rezoluta përshkruan tre faza për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez.
Siç raportohet, faza e parë përfshin “një armëpushim të plotë dhe fillimin e lirimit të pengjeve”. Faza e dytë do të shihte “një fund të përhershëm të armiqësive në këmbim të lirimit të të gjitha pengjeve dhe tërheqje të forcave izraelite nga Gaza. Si dhe faza e tretë, për fillimin e rindërtimit të Gazës.
Ndryshe, propozimi “refuzon çdo përpjekje për ndryshim demografik e territorial në Gazë, duke përfshirë veprime që reduktojnë territorin palestinez, të tilla si krijimi i zonave sanitare.
Gjithashtu, ai përsërit angazhimin për të arritur një zgjidhje me dy shtete. /Telegrafi/