Pas një takimi midis presidentit amerikan, Joe Biden dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, të dy liderët janë zotuar se do të sjellin drejtësi për Ukrainën.
Ata vendosën të mbajnë Rusinë përgjegjëse për “mizoritë dhe krimet e luftës të dokumentuara gjerësisht” në Ukrainë, thuhet në një deklaratë të lëshuar pas takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo do të përfshinte krimet e supozuara si nga ushtarët e rregullt rusë, ashtu edhe nga përfaqësuesit e tyre, si grupi Wagner, raporton skynews.
Të dy vendet thanë gjithashtu se do të ofrojnë burime për Ukrainën gjatë gjithë dimrit, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe pajisjet për riparimin e rrjetit të energjisë.
Biden e mirëpriti Macron në Shtëpinë e Bardhë sot për të festuar më shumë se 200 vjet të marrëdhënieve SHBA-Francë.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm në Ukrainë më 24 shkurt duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale. /Telegrafi/