Telegrafi

SHBA i bëri thirrje Ukrainës që të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës

Zëvendëskryeministri ukrainas tha sot se rafineritë ruse të naftës janë objektiva legjitime të sulmeve ukrainase, pas një raportimi të mediave se SHBA-të i kërkuan Kievit të ndalonte sulmin me dron të rafinerive ruse.

Ukraina ka rritur në mënyrë dramatike sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse këtë muaj, duke kryer sulme të shumta me dronë me rreze të gjatë veprimi në rafineritë më të mëdha të Rusisë, duke detyruar disa që të pezullojnë përkohësisht prodhimin.

“Ne i kuptojmë thirrjet e partnerëve amerikanë, por në të njëjtën kohë po luftojmë me kapacitetet, burimet dhe praktikat që kemi”, tha Olha Stefanishina në Forumin e Sigurisë në Kiev.

Lexo po ashtu Ukraina sulmon rafineritë ruse të naftës - çfarë thonë analistët për këtë strategji të re të ukrainasve

Ajo tha se infrastruktura energjetike e Rusisë është një objektiv legjitim nga pikëpamja ushtarake.

Financial Times citoi burime të njohura me këtë çështje të thoshin se Uashingtoni i kishte kërkuar Kievit t’i jepte fund sulmeve, duke paralajmëruar rrezikun e provokimit të hakmarrjes dhe rritjes së çmimeve globale të naftës.

Sulmet kanë kontribuar në rritjen e çmimeve të naftës, të cilat janë rritur pothuajse 4 për qind që kur Ukraina sulmoi një rafineri të madhe nafte më 12 mars. /Telegrafi/