Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka bërë të ditur se rritja ekonomike për vitin 2018 pritet të jetë 4.8 për qind, derisa gjatë viti do të jetë prej 4.4 për qind.
Shatri ka bërë të ditur se Qeveria e ka dërguar në Kuvend buxhetin për vitin 2018, në shumë prej 2 miliardë e 82 milionë euro.
“Buxheti ka shkuar në Kuvend më 1 nëntor. Në këtë seancë që është duke vazhduar, pritet që leximi i parë i buxhetit të kalohet, por sa zgjatë varet krejt prej pikave të rendit të ditës dhe diskutimeve të deputetëve”, tha Shatri.
Pas leximit të parë të buxhetit dhe diskutimeve të deputetëve, sipas tij, ai do të procedohet për votim në Kuvend.
“Buxheti për vitin 2018 do të jetë 2 miliardë e 82 milionë euro, derisa 1 miliard e 800 milionë do të jenë të hyrat. Kemi një zbrazëtirë në mes të hyrave dhe shpenzimeve prej 282 milionë eurove”, ka thënë Shatri.
Qeveria përmes një ligji për AKP-në, ka treguar ish-ministri i Financave dhe i Ekonomisë do të marr nga ky institucion rreth 80 milionë euro, të cilat do të bëhen pjesë e arkës së shtetit për vitin e ri buxhetor.
“Buxheti është ligj, sikurse çdo ligj tjetër, nuk mund të ndryshohet me vullnet të dikujt. Askush nuk e ndryshon buxhetin, pa ndryshim të procedurave të ligjit. Do të provohet që në Kuvendin e Kosovës, me shumicën e thjeshtë, të kaloj buxheti. Këto procedura duhet të kryhen deri më 31 dhjetor”, ka shtuar ai.
Këshilltari i kryeministrit për ekonomi, ka thënë se për shkak të neglizhencës së Qeverisë së kaluar, disa punë kanë mbetur pa u kryer.
Haki Shatri në këtë intervistë ka folur edhe për kompletimin e Bordit të ZRRE-së, ngarkesën e konsumatorëve me rrymë pa e shpenzuar si dhe për Trepçën dhe projekte të tjera të mëdha. /Telegrafi/