Site icon Telegrafi

Shasha thotë se liberalizimi i vizave është punë e kryer: E pamundur në këtë fazë që procesi të bllokohet

Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha, i ftuar në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën është punë e kryer.

Sipas tij, është e pamundur në këtë fazë që procesi të bllokohet. Kjo pasi Këshilli i Bashkimit Evropian, institucioni kryesor që e ka bllokuar procesin, të enjten e kaluar ka miratuar në lexim të parë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Lexo po ashtu Edhe një hap para, Këshilli i Ministrave miraton liberalizimin e vizave për Kosovën

Në këtë intervistë Shasha ka deklaruar se ky institucion edhe po të dojë, tani nuk ka rrugë ligjore për ta bllokuar procesin.

Demush Shasha gjatë intervistës në emisionin “Përballje”, foto: Korab Basha

“Gjasat janë shumë të mëdha që çdo gjë do të finalizohet sa i përket procedurës ligjore vendimmarrëse deri në fund të muajit të ardhshëm. Dhe kjo lejon pastaj kohë të mjaftueshme që të përgatitet edhe sistemi ETIAS, por edhe në rast të mosfunksionalizimit të sistemit gjasat janë pothuajse 100 për qind që nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët do të lëvizin lirshëm në zonën Schengen”.

“Është e pamundur në këtë fazë që procesi të bllokohet. Këshilli i Bashkimit Evropian ka qenë institucioni kryesor që e ka bllokuar procesin e liberalizimi. Këshilli javën e kaluar ka miratuar liberalizimin e tani edhe po të dojë ta bllokojë procesin nuk ka rrugë ligjore”, ka thënë ai.

Shasha tutje ka shpjeguar se i vetmi hap që ka mbetur është që Parlamenti Evropian ta miratojë rregulloren e ndryshuar.

“Nuk ka kthim mbrapa. Kjo është sikur një ligj që del Qeveria dhe e dërgon për votim në Kuvend. Ky i fundit e miraton në dy lexime, në lexim të parë dhe në lexim të dytë. Pastaj ligji dërgohet për publikim në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi. Nëse e bëjmë një krahasim, ne e kemi kaluar liberalizimin në lexim të dytë”.

“Besoj se çështja e vizave për Kosovën është punë e kryer dhe për shkak të përvojës së hidhur që kemi pasur, gjëja më e mirë është që të presim 1 janarin e vitit 2024 dhe me pasaportë në gjep të kalojmë kufirin e pastaj të festojmë”, është shprehur tutje ai.

Në këtë intervistë Shasha ka folur edhe për takimin e 18 marsit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Ohër si dhe marrëveshjen e darkoduar për Propozimin evropian mes dy liderëve shtetërorë. /Telegrafi/

Exit mobile version