Demush Shasha nga instituti “EPIK” në një intervistë për “Përballje ditore” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhahmet Hajrullahu, ka folur edhe për zhvillimet e brendshme politike në vend të cilat mund të ndikojnë edhe në procesin integrues të Kosovës.
Shasha ka komentuar edhe çështjen e sulmeve ndaj zyrtarëve e deputetëve të Bashkimit Evropian.
Ai ka thënë se këto sulme janë të dëmshme, pasi që BE-ja është partneri kryesor politik i Kosovës.
“Ky diskurs i kohëve të fundit, i sulmeve të caktuara nga qarqe të caktuara ndaj përfaqësuesve të BE-së qofshin ato të eurodeputetëve apo përfaqësuesit të posaçëm Lajçak, janë zakonisht të dëmshme. Janë të dëmshme sepse suksesi i Kosovës historikisht është i lidhur në partneritet të sinqertë dhe strategjikë me BE-në dhe SHBA-të. BE është partneri jonë kryesor politik, sepse një ditë do të bëhemi pjesë e familjes evropiane”, ka thënë Shasha.
Shasha shtoi se tani të sulmosh zyrtarë, persona të cilët të vetmen punë e kanë promovimin dhe mbështetjen e Kosovës është një aktivitet vetëvrasës.
Duke komentuar deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, lidhur me idenë e ndryshimit të kufijve, Shasha theksoi se problemi mbetet tek Prishtina, pasi që ka mungesë të unitetit politik.
“Unë mendoj se problemi numër një sa i përket çështjes së korrigjimit të kufijve është mungesa e një uniteti dhe një kohezioni politik sa i përket kësaj teme në Prishtinë. Nuk ka unitet të qartë politik e as ligjor e juridik ku ka një qëndrim të padiskutueshëm që tema e kufijve dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociushëm, ky është problemi i parë. Problemi i dytë nëse kalojmë të Bashkimi Evropian është se BE-ja e ka këtë idenë e kufijve për një kohë të gjatë, dhe nëse e gjykojmë historikun e diskutimit të kësaj ideje në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja, kemi parë që ka qenë një dështim”, ka theksuar Shasha. /Telegrafi/