Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha ka thënë Vuçiqi ra në grackën e Kurtit për çështjen e reciprocitetit të targave.
Përmes një shënimi në Facebook, Shasha tha se ashtu sikurse me shëtitjen paqësore të Thaçit në Ujman, edhe me veprimin e Kurtit për targat Serbia ekspozoi natyrën e saj të dhunshme.
“Pjesa më e bukur e kësaj punës së targave është se sa lehtë Vuçiqi bije në grackën e Kurtit. Pak a shumë sikur shëtitja e Thaçit “nëpër bukuritë e Kosovës” në Ujman. Të dy këto akte të Thaçit dhe Kurtit kanë ekspozuar natyrën e dhunshme të Serbisë”, shkroi Shasha.
Ai thotë se me agresivitetin e skajshëm të Vuçiqit u përforcua narracioni i Kosovës se Serbia është një vend luftënxitës.
“Në të dy raste Vuçiqi është përgjigjur akteve krejtësisht paqësore të Thaçit dhe Kurtit me agresivitet të skajshëm luftarak i cili vetëm ka përforcuar narracionin e Kosovës se Serbia është një vend luftënxitës – njëjtë sikur Rusia”.
Sasha thotë se me veprimin e Vuçiqit për ngritjen e gatishmërisë ushtarake, ai u bë si Putini që zgjidhjen e mosmarrëveshjeve i zgjidh me luftë.
“Sot me ngritjen e gatishmërisë ushtarake Vuçiqi është bashkangjitur Putinit si të vetmit liderë në Evropë të cilët zgjedhin luftën si mjet primar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.
Ndryshe, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha të martën se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të, siç u shpreh, situatës në Kosovë.
Ai tha se urdhër për këtë ka dhënë presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.
Vuçeviq nuk dha detaje se përse është marrë ky vendim dhe përse lidhet me situatën në Kosovë.
Plani i ri i Qeverisë së Kosovës, i publikuar më 28 tetor, pritet të zbatohet në tri faza. E para përfshin qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës./Telegrafi/