Telegrafi

Shala tregon problemin me yllin e Realit: Lojtari më i vështirë që jam përballur me të

Herolind Shala ka qenë i ftuari i parë në një lidhje direkte me instagramin e Telegrafi Sportit.

Njëri nga futbollistët më të rëndësishëm të Përfaqësueses së Kosovës ka bërë një intervistë me gazetarin Betim Zeqiri, teksa ka folur për periudhën si i izoluar.

Shala fillimisht tregoi se gjendja në Norvegji është më stabile se sa në Kosovë, duke thënë se nuk kanë kufizim të lëvizjes.

“Është gjendje e rëndë, mirëpo duhet të qëndrojmë në shtëpi dhe t’i zbatojmë rregullat e qeverisë. Këto kohë po shikoj seriale e filma, ndërsa po luaj edhe lojëra si CS e FIFA”, deklaroi fillimisht Shala.

Gjendja në klubin e tij Valerenga është rregulluar paksa, pasi tani ylli i Kosovës po stërvitet, por në kushte jo normale.

“Ka një javë që jemi kthyer në klub dhe po stërvitemi, por në kushte jo normale. Jemi të ndarë në tri grupe ku kryejmë stërvitjet tri herë në javë dhe po presim përmirësimin e gjendjes”, vazhdoi Shala.

Njëra nga pyetjet e shikuesve ishte se cili lojtar ka qenë kundërshtari më i vështirë.

Lexo po ashtu Shala zbulon gjithçka për Kosovën - Shokun më të mirë të dhomës, humoristin e grupit, si dhe kujt do t’ia besonte penalltinë në minutën e fundit

Shala ka zgjedhur yllin e Real Madridit, Raphael Varane si kundërshtarin më të vështirë në karrierë.

“Jam përballur me shumë futbollistë të mëdhenj, por më i vështirë padyshim ka qenë Raphael Varane”.

“Ishte ndeshja Francë – Shqipëri, ndërsa përballë kisha Varanen. Ishte lojtar i jashtëzakonshëm, shumë i shpejtë dhe thuajse e pamundur ta kaloje”, deklaroi Shala.

Krejt në fund Shala ka treguar se është tifozë me gjigantin spanjoll Real Madrid.  /Telegrafi/