Telegrafi

Shakhtar refuzon ofertën e parë të Arsenalit, kërkon më shumë për Mudryk

Mykhaylo Mudryk është padyshim talenti më i madh ukrainas viteve të fundit dhe atë e pret një të ardhme të ndritur.

Sulmuesi anësorë ka pasur një vit të jashtëzakonshëm me kampionin e shumëfishtë të Ukrainës me gola e asistime.

21-vjeçari vetëm këtë edicion në 24 ndeshje zyrtare ka shënuar 10 gola e ka asistuar në tetë të tjerë.

Calciomercato ka raportuar se Shakhtar Donetsk ka refuzuar një ofertë të lartë nga Arsenali duke mos e lejuar largimin e yllit të tyre në janar.

Topçinjtë kanë ofruar 60 milionë euro për anësorin këmbëshpejtë, ofertë që është konsideruar e ulët nga drejtuesit e klubit ukrainas.

Javë më parë drejtori sportiv i Shakhtar kishte deklaruar se synon që të fitojnë rreth 100 milionë euro për Mudryk, duke e krahasuar atë me brazilianin e Man Utd, Antony.

Gjithsesi lideri aktual i Ligës Premier pritet të dalë me një tjetër ofertë, pasi Mudryk mbetet i preferuari i Mikel Artetas për repartin ofensivë.

Në garë për lojtarin mbeten edhe skuadra tjera të mëdha si Chelsea, Newcastle United, Real Madrid, Borussia Dortmund dhe Paris Saint Germain. /Telegrafi/