Basketbolli në Kosovë nuk ka përjetuar momentet më të mira as gjatë vitit 2018.
Teksa nostalgjia te adhuruesit e basketbollit për kohëra të vjetra gjithnjë e më shumë ishte prezente, sezon i vitit 2018 ishte një prej më të çuditshmëve.
Në sezonin e rregullt pozitën e parë e rrëmbeu Prishtina me vetëm një humbje, i dyti u rendit bashkimi, ndërsa befasia ishte KB Rahoveci që zuri vendin e tretë me një fitore më shumë se rivali i përbetuar, Ylli në vendin e katërt.
Nga liga kanë rënë dy skuadra, KB Borea pas barazhit dhe Kerasan Prishtina në formë direkte me vetëm katër fitore të regjistruara.
Playoffi
Playoffi nuk ishte aq interesant, përpos ndeshjeve të para. KB Rahoveci mbushi palestrën në Prizren ndaj Prizrenit, por kjo nuk mjaftoi, pasi Vreshtarët humbën sfidën e parë dhe ishin të pafuqishëm në sfidat tjera për të pësuar katër humbje me Bashkimin që me bilanc perfekt kaloi në finale të kampionatit me seri 3-0.
Prishtina po ashtu pati fitoi me tri fitore ndaj rivalëve nga Suhareka, që po ashtu stërmbushën palestrën e tyre, por as kjo nuk mjaftoiqë Prishtina që siguronte finalen.
Në finale KB Bashkimi askush nuk mendoi se do të gëzonte formën sikurse ndaj Rahovecit, e Prishtinën e bëri të dukej kështu. Klubi prizrenas pasi siguroi një fitore në kryeqytet, arriti që t’i fitojë dy ndeshjet në shtëpi.
Ndeshja e katërt ku Bashkimi edhe u shpall kampion mblodhi në palestrën “Sezai Surroi” mbi tre mijë shikues, që përbën rekord për qytetin e Prizrenit që nga paslufta, e atmosferë e cila vështirë se do të harrohet një kohë të gjatë nga shumë adhurues.
Bashkimi fitoi me rezultat 77:62 nën shkëlqimin e Mikaile Tmusic dhe Altin Morinës, reprezentuesit të Kosovës që shkëlqeu në të gjitha ndeshjet. Pa harruar këtu as kontributin e Aaron Moss i cili u shpall MVP. Të tre këta lojtarë realizuan nga 17 pikë në ndeshjen vendimtare ndaj Prishtinës.
Për Bashkimin ky ishte titulli i parë i kampionit në histori të klubit, duke thyer hegjemoninë e Prishtinës, e cila sezonin e mbylli vetëm me trofeun e Kupës. Vlen të përmendet se Prishtina vendosi që sezonin ta kalonte vetëm me lojtarë vendorë, gjë të cilën e shfrytëzoi Bashkimi.
Sezoni mund të përshkruhet i çuditshëm nga se KB Peja dhe KB Trepça, dy skuadra historikisht të trofeshme, patën telashe. KB Peja siguroi ekzistencën, por nuk ju lejua pjesëmarrja në kampionat për shkak të problemeve me arbitrazhin e FIBA-s rreth borxheve, ndërsa KB Trepça dështoi të siguronte playoffin në një tjetër sezon zhgënjyes në mesin e një konflikti mes kryesive paraprake dhe ekzistuese dhe shumë paqartësive rreth klubit mitrovicas, që megjithatë nuk u la vetëm në asnjë moment nga tifozët e tyre.
Koshashënuesi më i mirë në sezonin e rregullt ishte Samir Zekiqi me 23.3 pikë për ndeshje, kurse mesatare më të mirë për kërcime e ka pasur Taylor Bessick i Yllit me 12.0 kërcime për ndeshje. Aaron Moss ishte lider për asistime me 9.3 asistime për ndeshje kurse Sami Hajzeri i Boreas me 2.0 topa të vjedhur për ndeshje ishte më i miri në topa të vjedhur. Bllokuesi më i mirë ishte Taylor Bessick me 2.1 bllokada për ndeshje.
Në fillim të sezonit të ri në vitin 2018 lojtarët kryesorë të Bashkimit kaluan te Prishtina, si Mikaile Tmusic dhe Altin Morina, por të cilët nuk gjetën veten te klubi kryeqytetas, i cili investoi në lojtarë të huaj për shkak të prezencës në garat evropiane. Aaron Moss u largua Rumanisë ku po ashtu është prej lojtarëve të dalluar.
Ndër sukseset më të bukura llogaritet edhe prezenca historike e Rahovecit në playoff, që ndonëse nuk ka palestër, falë një menaxhimi të shkëlqyer të klubit me mjete të kufizuara financiare, arriti të nxjerrë më të mirën për një qytet që vazhdon të ëndërrojë majat e basketbollit në rivalitet me fqinjët e Yllit të cilin do ta gëzojnë tifozët për vitet në vijim.
Prishtina historike në Evropë
Prishtina pas dështimit për titullin e kampionit filloi një revolucion në klub, pasi Blerand Stavileci ri-mori besimin për të vazhduar me drejtimin e klubit.
Z Mobile u bë sponsori kryesor duke ndryshuar kështu edhe emrin e klubit, e shumë ndërmarrje të fuqishme përkrahën skuadrën më të trofeshme të basketbollit kosovar.
Prezenca në Ligën e Kampionëve të basketbollit e Prishtinës nxiti shpresë për sukses. Pas një sfide të parë e cila përfundoi me 23 pikë epërsi për Prishtinën, sfida kthyese u mendua se do të jetë shëtitje nëpër prak. Por, skuadra e Donar Groningen në Holandë bëri përmbysjen duke shfrytëzuar një konflikt të Dardan Berishës me një prej lojtarëve të huaj.
Pas eliminimit shokues në Ligën e Kampionëve, Prishtina rimori veten dhe mendërisht u forcua për kalimin në fazën më të ulët në FIBA Europe Cup, ku pas disa paraqitjeve të shkëlqyera arriti që të kualifikohet në rrethin e dytë të grupeve në FIBA Europa Cup, aty ku tash luan ndaj Szolnokit (Hungari), s.Oliver Ëurzburg (Gjermani) dhe Pinar Karsiyaka (Turqi). Prishtina pas kualifikimit historik në rrethin e dytë arriti edhe fitoren e madhe të parën në këtë grup ndaj Szolnokit në kryeqytet, pavarësisht një humbje të pësuar në Gjermani.
Prishtina dhe rrugëtimi i saj historik ndaj skuadrave prej më të fortave të kontinentit vazhdon edhe në fillim të vitit 2019, ku kolosë të basketbollit si Dardan Berisha i mbetën besnik klubit nga kryeqyteti.
Prishtina pa asnjë humbje udhëheq edhe Superligën e Kosovës në edicionin e ri, ku konkurrenca për klubin kryeqytetas duket se është fjalë që nuk ekziston, pasi pritet që të shpallet kampion e skuadrat tjera të diskutojnë për pozitat tjera në tabelë e playoff, në një sistem të ri garash ku gjashtë skuadrat marrin pjesë në playoff, me dy të parat që pushojnë në rrethin çerekfinal të playoffit.
/Telegrafi/