Trajneri i Barcelonës, Quique Setien ka thënë se ai ka folur me Antoine Griezmann pas paraqitjes së tij të diskutueshme kundër Atletico Madridit.
Ylli francez ishte i vendosur si rezervist në tre nga katër ndeshjet e fundit dhe kjo ka krijuar befasi të njohësit e futbollit.
Kulmi i nënçmimit të Griezmann nga trajneri Setien ishte inkuadrimi i tij në lojë në minutat shtesë kundër Atletico Madridit.
Megjithatë, Setien ka deklaruar se tashmë ka biseduar dhe është sqaruar me Griezmannin, i cili sipas tij është një profesionist dhe njeri i jashtëzakonshëm.
“Ai është i mirë. Kam shkëmbyer disa fjalë me të. Antoine është një profesionist i shkëlqyeshëm, ai është një lojtar që e kupton situatën”, ka thënë fillimisht Setien.
“Ai është një djalë i jashtëzakonshëm që është jashtëzakonisht profesional”.
“Nuk do të ndikojë në të kur ai të luajë përsëri. Ai është shumë pozitiv dhe ne mund të llogarisim tek ai 100 për qind kur ai kthehet në fushë”, përfundoi trajneri i Barcelonës. /Telegrafi/