Lionel Messi ka pësuar një lëndim javën e kaluar në stërvitje me Barcelonën.
Gjeniu argjentinas pësoi një dëmtim të vogël të kuadricepsit në këmbën e djathtë dhe është stërvitur i vetëm.
Ka qenë klubi i Barcelonës që konfirmoi lëndimin e kapitenit, mirëpo tani trajneri Quique Setien ka gëzuar tifozët katalunas.
61-vjeçari ka konfirmuar se Lionel Messi do të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundjavës që Barcelona e zhvillon përballë Mallorcas.
“Messi nuk ka stërvitur së bashku me grupin për shkak të një lëndimi të vogël, por ai tani është mirë dhe nuk ka asnjë problem”.
“Ne kemi një ndeshje shumë të rëndësishme në fundjavë dhe dua që ta shoh Messin në fushë sa më gjatë që të jetë e mundur”, deklaroi Setien.
La Liga do të rifillojë këtë fundjavë pas një pauze të gjatë prej tre muajve për shkak të pandemisë Covid-19.
Në ndeshjen e parë pas pushimit, Barcelona do ta luaj të shtunën nga ora 22 në udhëtim te Mallorca.
Kujtojmë që katalunasit momentalisht janë në pozitën e parë në tabelë me 58 pikë, dy më shumë se ndjekësi më i afërt që është Real Madrid. /Telegrafi/