Telegrafi

Setien flet pas barazimit me Sevillën: Jam i sigurt se edhe Reali do të lëshojë pikë

Quique Setien. (Photo by Alex Caparros/Getty Images)

Barcelona nuk ka arritur më shumë se një barazim pa gola 0-0 nga udhëtimi te Sevilla.

Kësisoj katalunasit tani janë vetëm tri pikë para Real Madridit që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

Setien ka folur pas kësaj ndeshje duke thënë se skuadra e tij luajti shumë mirë në 30 minutat e para të ndeshjes.

“Ne ishim shumë shpresëdhënës në 30 minutat e para, minuta të cilat kanë qenë të jashtëzakonshme duke luajtur vetëm në gjysmëfushën e kundërshtarit”.

Lionel Messi. (Photo by Fran Santiago/Getty Images)

“Pas pushimit kemi humbur koordinimin dhe kemi humbur shumë topa në fushë duke i dhënë jetë Sevillës që ka mundur të na ndëshkojë, por ne kemi në portë një portieri si Ter Stegen i cili të jep shumë garanci”, deklaroi Setien.

Tekniku spanjoll ka folur edhe për rivalin e tij për titull Real Madridin, ku beson se edhe Los Blancos do të ndalen.

“Nuk po them se kemi të njëjtat mundësi për titull, por Real Madridi do të duhet të fitojë në San Sebastian ndaj Sociedadit që është një terren shumë i vështirë”, tha Setien.

“Unë jam i sigurt se si ne ashtu edhe Reali deri në fund të kampionatit nuk do t’i fitojmë të gjitha ndeshjet”, tha Setien. /Telegrafi/