Quique Setien ka pranuar se VAR-i e bëri diferencën për Barcelonën në fitoren prej 1-0 kundër Real Sociedadit në Camp Nou të shtunën mbrëma.
Nikoqirët nuk mund ta thyenin kundërshtarin derisa Robin Le Normand u penalizua për prekje të topit me dorë brenda zonës, pas konsultimit të video-asistencës, ndërsa Lionel Messi e konvertoi njëmbëdhjetëmetërshin në gol.
“E dinim se do të ishte një ndeshje jashtëzakonisht e rëndë, mendoj se (Real Sociedadi) i ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit duke përfshirë një në Bernabeu”.
“Janë në finale të Kupës (së Mbretit), janë të mirë me posedimin e topit, nuk e dorëzojnë kurrë. Nëse të bëjnë presion, mund të të dëmtojnë. Kanë lojtarë cilësorë”.
“Duke i veçuar disa periudha të caktuara, ne e kontrolluam lojën. Pastaj, kishim momente të vështira, por prodhuam rrezik”.
“Fituam falë VAR-it. Nuk e pashë (momentin e penalltisë) nga banka, isha shumë larg”, ka deklaruar Setien pas ndeshjes, citon Marca, duke shtuar se Real Madridi duhet të fitojë të dielën ndaj Real Betisit. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=BkYCoaAd5iE