Britania e Madhe, SHBA-të, Franca dhe Suedia, shkruan “Novosti” se janë duke u munduar të parandalojnë që në rend të ditës në mbledhjen e 8 nëntorit të jetë temë diskutimi gjendja në Kosovë, sikurse që ishte vepruar në prill të këtij viti.
Këto vende të fuqishme sipas “Novosti” janë duke u munduar që të ndalin çdo temë që ka të bëjë me Kosovën si dhe për formimin e ushtrisë së Kosovës, duke vepruar kështu kundër Rezolutës 1244, me të cilën parashiheshin mbledhjet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, transmeton Telegrafi.
Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për situatën në Kosovë është dashur të futet në rend të ditës në gusht, por ishte Britania e Madhe që asokohe ishte kryesuese e Këshill të Sigurimit që kishte kundërshtuar që të diskutohet për këtë çështje.
Kundërshtimin e tyre e kishin përkrahur edhe SHBA-të, dhe kështu diskutimi për Kosovën edhe në shtator ishte anashkaluar kur SHBA-të ishin kryesuese në Këshillin e Sigurimit.
Por ky rotacion i kryesuesve kësaj radhe i ka takuar Kinës, e cila planifikon që në mbledhjen e radhës të fut në rend dite dy raportet për Kosovën të cilat i kishte përgatitur Guterres.
Megjithatë, edhe pse rendi i ditës ende nuk është konfirmuar, Britania e Madhe, SHBA-të, Franca dhe Suedia janë duke u munduar që edhe njëherë ta anashkalojnë diskutimin për Kosovën.
Për këtë arsye sipas Novosti, Serbia është në kontakt të vazhdueshëm me Kinën, për faktin se caktimi i rendit të ditës është çështje teknike e jo politike, ku nuk mund të ketë veto, por duhet të arrihet vetëm me votat e shumicës.
Kjo do të thotë se vota e Rusisë dhe Kinës kanë peshën e njëjtë sikur të gjitha shtetet tjera, ku nga 15 vendet anëtare, Kosovën e kanë pranuar si shtet të pavarur 9 prej tyre. /Telegrafi/