Një tjetër qytetari serb i është djegur vetura për shkak se i njëjti kishte targat RKS.
Rasti ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në Zubin Potok, ku viktimë e këtij rasti ishte qytetari Bojan Bozhoviq.
Ai përmes një postimi në Facebook, i ka quajtur frikacak ata të cilët e kryen këtë veprim, derisa ka publikuar edhe pamjet e veturës së djegur.
“Frikacakët ma kanë vënë zjarrin makinës në oborr përballë shtëpisë në orën 3 të natës së kaluar. Falënderojmë zjarrfikësit që u përgjigjën me shpejtësi dhe parandaluan djegien e shtëpisë”, ka shkruar Bozhoviq.
Ai ka treguar se vetura e tij kishte targat RKS që 16 vite dhe se e njëjta nuk ishte riregjistruar.
“Dua të them se vetura nuk është riregjistruar dhe ka 16 vite regjistrim në RKS. Faleminderit ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier për dënimin e këtij akti çnjerëzor dhe shpresoj që institucionet kompetente të dalin me emrat e autorëve. Faleminderit edhe të gjithë njerëzve të mirë që janë me mua dhe familjen time në këto momente të vështira”, ka shkruar Bozhoviq.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar se një veture të tipit Hyndai me targa RKS i është vënë zjarri.
“Njësitet relevante policore nga stacioni policor Zubin Potok, i janë përgjigjur menjëherë vendit të ngjarjes, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kanë njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatën për media. /Telegrafi/