Serbët: Vendimi i ri i Qeverisë na ka vendosur mes djegies së veturave dhe konfiskimit
Ismail Jakupi
Serbët lokal të Kosovës po vlerësojnë se vendimi i ri i Qeverisë i ka vendosur ata mes dy vendimeve të vështira, djegies së veturave nga grupet kriminale dhe konfiskimit të tyre nga organet shtetërore. Sipas tyre, ata nuk u konsultuan fare për vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës. E në veri, gjatë ditës, një ditë para nisjes së lëshimit të fletë qortimeve për personat që vozisin targa ilegale, janë parë duke qarkulluar shumë vetura me targa KM dhe të ngjashme.
Dokumenti apo fletëqortimi i cili nga një nëntori do t’iu jepet të gjithë qytetarëve të cilët vozisin vetura me targa ilegale, do të lëshohet në gjithë territorin e vendit deri më 21 nëntor.
Pas kësaj date, e deri më 21 janar për ata që nuk i bindet fletëqortimit, do të pasojnë gjobat prej 150 eurove.
Por, një vendim i tillë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ka dëshpëruar shumë prej banorëve të veriut.
“Ata kanë limituar të drejtën tonë për të lëvizur. Askush nuk po interesohet për zgjidhje. Njerëzit këtu nuk po e duan këtë zgjidhje të cilën e ka sjell qeveria”, ka thënë qytetarja, Ivana Andjelkoviq.
Mirëpo, disa prej tyre kanë shpresë se ekzekutivi kosovar do ta gjejë një zgjidhje tjetër.
“Do të zgjidhet kjo. Albin Kurti do ta zgjidhë me këta në Beograd. Asgjë nuk mund të përfundojë për një ditë, por duhet më shumë kohë për zgjidhje të tilla”, është shprehur qytetari Dragojub Milenkoviq.
Ndërkohë, serbët, sipas aktivistit Miodrag Marinkoviq janë vendosur mes dy zjarreve.
“Njerëzit po pësojnë ndëshkime në njërën anë ose tjetrën. Ose po pësojnë djegie të veturave ose konfiskim të veturës. Njerëzve nuk po u jepet mundësia që të lëvizin lirshëm. Esenca e kësaj marrëveshje nuk duhet të jetë agjendë politike, por në shërbim të njerëzve që ata të lëvizin lirshëm. Shihni marrëveshjen për ngjitësit në targat e automjeteve. Atë unë e konsideroj si një marrëveshje të mirë, të dyja shtetet e shitën si sukses dhe në fund të gjithë, edhe serbët edhe shqiptarët e patën mundësinë e lëvizjes së lirë, pa ndonjë pagesë shtesë”, ka thënë Marinkoviq.
Në gjithë këtë situatë, aktivisti tjetër serb, Igor Markoviq, vlerëson se kryeministri Albin Kurti dështoi ta përmbushë një premtim të kamotshëm, dialogun me serbët lokal.
“Kryeministri Kurti ka dështuar të organizoj një debat me komunitetet lokale. Ai nuk ka konsultuar komunitetet vendase për interesin që ato kanë në këtë çështje. Unë fuqimisht besoj kryeministri Albin Kurti, jo e gjithë qeveria, por vet Kurti nuk brengoset realisht për interesat e serbëve lokal. Kur jemi të çështja e targave, e shohim që serbët këtu nuk e vuajnë vetëm presionin e grupeve kriminale, por edhe të atyre të Beogradit. Në anën tjetër, e shohim që edhe Policia e Kosovës nuk ka arritur të gjejë asnjë prej personave që po djegë veturat. Kështu që kemi dy anë që nuk po reagojnë dhe popullatën civile të cilët vetëm po vëzhgojnë dhe akoma janë konfuz”, është shprehur Markoviq.
Një ditë para se të nis masa e qortimit, në veri të Kosovës shumë serbë janë parë teksa kanë vazhduar të vozisin vetura me targa që konsiderohen ilegale./RTV Dukagjini/