Në Mitrovicë të Veriut është paralajmëruar një protestë nga komuniteti serb.
Zv.drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se për këtë protestë është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Protesta është paralajmëruar të fillojë në orën 11:00 dhe është përshkruar nga mediat serbe si një “protestë paqësore dhe demokratike” kundër hapjes së Urës së Ibrit.
“Një grup i qytetarëve në veri ka paralajmëruar një protestë për nesër në ora 11:00, në pjesën ku i mbajnë protestat te sheshi Car Lazar. Do të ketë numër të mjaftueshëm të policëve që do ta mirëmbajnë sigurinë. Protesta pritet të jetë e qetë”, ka thënë Elshani.
Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka përsëritur të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
KFOR-i ka deklaruar se nuk do të hezitojë të trajtojë çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.
Ky reagim i KFOR-it vjen pas një vizite të zyrtarëve të Kosovës në atë zonë, të cilët insistojnë se ura mbi Ibër duhet të hapet.
Qeveria e Kosovës thekson se liria e lëvizjes duhet të sigurohet në të gjithë territorin e vendit, ndërsa Serbia e konsideron hapjen e urës si “provokim.”
Vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë bërë të ditur ditë më parë se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë kohë.
Pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar që ura duhet të hapet dhe se kjo nuk është kundër askujt. /Telegrafi/