Senatorët Mark Warner dhe Marco Rubio i kanë shkruar Metas për dokumentet që tregojnë se kompania e dinte se zhvilluesit në Kinë dhe Rusi kishin qasje në të dhënat e përdoruesve.
Sipas kryetarit dhe nënkryetarit të Komisionit për Inteligjencën në Senatin amerikan, këto të dhëna mund të janë përdorur për spiunazh.
“Duket nga këto dokumente se Facebook e ka ditur, të paktën që nga shtatori i 2018-së qindra mijëra zhvillues janë karakterizuara ‘me rrezik të lartë’, përfshirë Republikën Popullore të Kinës, kanë pasur qasje në sasi të konsiderueshme të të dhënave të ndjeshme të përdoruesve”, thuhet në letrën e tyre drejtuar themeluesit të kompanisë Meta, Mark Zuckerberg.
Aty thuhet se një dokument i brendshëm i Metas tregonte se gati 90 mijë zhvilluesve në Kinë u ishte dhënë qasje në informacione rreth përdoruesve, duke përfshirë të dhënat e profilit, fotot dhe mesazhet private edhe pse Facebook nuk kishte mundur kurrë të operonte në këtë vend.
Më shumë se 42 mijë zhvillues në Rusi dhe mijëra në Iran dhe Kore të Veriut gjithashtu kishin qasje në këto informata.
“Ne shprehim shqetësime të mëdha në lidhje me masën në të cilën kjo qasje mund të kishte mundësuar aktivitetin e shërbimit të huaj të inteligjencës [spiunazh], duke filluar nga ndikimi keqdashës i huaj deri te shënjestrimi dhe kundërzbulimi”, shkruajnë dy senatorët.
Në fund, ata i bënë Zuckerberg një sërë pyetjesh, duke përfshirë nëse kompania ishte në gjendje të identifikonte zhvilluesit, komunikimet me ta dhe të jepte çfarë lloj informacioni që zhvilluesit në Kinë dhe Rusi mund të kishin qenë në gjendje të mblidhnin. Mirëpo, Meta nuk u është përgjigjur menjëherë pyetjeve të tyre. /Telegrafi/