Telegrafi

Sëmundja e Bruce Willis pretendohet ta ketë zanafillën nga një aksident në xhirimet e “Tears of the Sun”

(Foto: Columbia Pictures)

Deklarata për gjendjen shëndetësore të Bruce Willis tronditi botën e kinemasë. Një nga fytyrat më të famshme të Hollywood vuan nga një sëmundje që e pengon të komunikojë siç duhet dhe i la të tronditur fansat e tij.

Tani, nëntë muaj më vonë, po flitet për origjinën e mundshme të sëmundjes së aktorit.

Ylli i njohur i filmave aksion, i cili kohët e fundit luajti në filma me buxhet të ulët, pati një aksident gjatë xhirimit të një filmi në vitin 2003, dhe kjo spekulohet të ketë qenë shkaku i afazisë së tij.

Në njoftimin për sëmundjen e tij, mbeti i panjohur shkaku i sëmundjes për publikun e gjerë, jo për rrethin e tij më të ngushtë, i cili ka lënë të kuptohet ditët e fundit se shenjat e sëmundjes ishin të dukshme prej vitesh.

Gazeta gjermane Filmstarts ka ngritur një dyshim, sipas të cilit, një aksident gjatë xhirimeve të “Tears of the Sun” mund të ketë qenë shkaku i sëmundjes së tij.

Siç transmeton Marca, një predhë e kishte goditur aktorin në kokë, ndërsa aksidenti në fjalë ka ndodhur kur Willis po e xhironte filmin e vitit 2003 me tematikë lufte.

Për shkak të kësaj, aktori e kishte paditur Revolution Studios për “dhimbje ekstreme mendore, fizike dhe emocionale”, si edhe menaxherin e efekteve speciale, Joe Pancake.

Afazia është një dëmtim i trurit që ndikon në komunikimin e një personi. Kjo sëmundje e pengon pacientin të flasë, por edhe t’i kuptojë njerëzit tjerë. Thashethemet erdhën nga rrethi i aktorit, pasi një mik anonim i tha The Sun në mars të vitit 2022 se ndryshimet te Bruce kishin nisur të vinin në pah para pesë vitesh. /Telegrafi/

(Foto: Columbia Pictures)