Site icon Telegrafi

Selimi paralajmëron Thaçin: Të presin protestat, nëse nuk na e jep mandatin (Video)

Deputeti i rizgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit, përball gazetarit Fidan Rama, ka paralajmëruar të parin e vendit, Hashim Thaçin, se në rast se dështon mandatari i parë dhe nuk i jepet shansi të dytit, në këtë rast Vetëvendosjes, atëherë atë e presin protestat.

“Edhe Thaçi, edhe kushdo që tenton të luajë lojëra të tilla me fituesin, pra qytetarit të Kosovës, do të përballet me reagimin e qytetarëve të Kosovës. Do të përballet me protesta. Këtë e kanë provuar dikur, dhe tash do ta provojnë sërish nëse guxojnë ose nëse tentojnë ta shkelin vullnetin e qytetarit”, ka thënë ai.

Selimi theksoi se presin që kandidatin për kryeparlamentar të koalicionit PDK-AAK-NISMA (PAN), Kadri Veselin, nuk do ta votojnë, duke shtuar se PAN është në situatë të disfavorshme, meqë edhe nëse e formon Qeverinë, do ta bënte me Aleksandër Vuçiqin (kryeministrin e Serbisë) si hisedar në të.

“Pra, do të vazhdonin që t’i japin hise kryeministrit të Serbisë që të ketë qasje në vendimmarrjen e Qeverisë së Kosovës përmes Listës Serbe”, ka thënë Selimi, sipas të cilit PDK është frikësuar nga “ajo që e ka ditur, pra humbja, ndaj kanë marrë pas vetes AAK-në e Nismën”. /RTV D/Telegrafi/

Exit mobile version