Site icon Telegrafi

Selimi: Do ta pengojmë ratifikimin e Demarkacionit

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbrojë qëndrimin se do ta pengojë mbajtjen e seancës në të cilën do të nxirret në votim ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Rexhep Selimi, ka thënë për Telegrafin se ata do t’i përdorin, nëse ka nevojë, të gjitha mjetet demokratike, përfshirë këtu edhe gazin, për ta penguar që të kalojë kjo marrëveshje e dëmshme për vendin.

Sipas tij, nuk kanë arsye që t’i ndryshojnë qëndrimet, përderisa dëmi është i njëjtë.

“Ne nuk kemi lëvizur nga ato që kemi thënë më herët, për shkak se e konsiderojmë këtë marrëveshje të dëmshme për Kosovën”, ka thënë Selimi.

Ndryshe, njëra prej marrëveshjeve më të diskutuara në politikën kosovare, ka qenë ajo e demarkimit të kufirit të Kosovës me fqinjin perëndimor.

Kanë kaluar gati dy vite dhe kjo marrëveshje nuk ka arritur që, në mungesë të votave të mjaftueshme,  të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për votim.

E mërkura e kësaj jave mund të jetë edhe një test për ekzekutivin e vendit, nëse do të kalojë kjo marrëveshje ose jo.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës për çështjen e demarkacionit, që është paraparë për sot, është shtyrë për të mërkurën, ditë në të cilën do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të votohet mocioni i mosbesimit për qeverinë e Isa Mustafës./Telegrafi/

Exit mobile version