Telegrafi

Selimi: Qeveria e Kosovës nuk e dha provimin në menaxhimin e situatës pas tërmetit në Shqipëri

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka kritikuar qeverinë e Kosovës në dorëheqje për dështim në menaxhimin e krizës së ndodhur në Shqipëri.

Selimi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, duke folur për tërmetin në Shqipëri ka thënë se Qeveria e Kosovës në detyrë nuk e dha provimin në menaxhimin e kësaj situate.

“Nuk ka shtab krize në Kosovë. Nuk ka pikë grumbullimi për mjete. Ky është dështim i menaxhimin të kësaj situate”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë askush nuk mund të shpëtoj nga përgjegjësia vetëm pse Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për personat e prekur.

Ai ka thënë se një shumë e tillë është pak në një situatë të tillë.

“Mos të harrojmë se menaxhimin i një situate të tillë automatikisht është dashur të aktivizojë Qendrën e Situatave pranë Qeverisë së Kosovës, gjë që nuk ka ndodhur tani”.

Selimi ka thënë se pavarësisht se qeveria është në dorëheqje nuk do të thotë se ata nuk do të duhej të ndërmerrnin veprime për menaxhimin e krizave.

“Është detyrë e qeverisë ndarja e fondeve, e jo vendim”, tha ndër të tjera Rexhep Selimi./Telegrafi/