Site icon Telegrafi

Selimi: Nuk ka pasur bastisje të shtëpisë sime nga Gjykata Speciale

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se nuk është bastisur shtëpia e tij nga Gjykata Speciale.

Ai për RTV Dukagjini ka thënë se, kjo Gjykatë është e padrejtë ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jo nuk kam pasur. Po i shoh edhe në medie. E pash edhe një deklaratë të kolegëve të mi nga OVL UÇK-së, se kuptova pse, shpresoj së paku janë informuar keq. E vetmja gjë që po më kujtohet nga kjo bastisje janë kolegët e mi që e kanë votuar Gjykatën Speciale, e që thoshin që është e mirë për Kosovën. Nuk e di a e kanë parë ata sot mëngjesin në lajme. Edhe një herë po dëshmohet se Gjykata Speciale është e padrejtë ndaj luftës së UÇK-së dhe Kosovës”, tha ai.

Ndryshe, forcat e shumta policore nga njësia e EULEX-it në mëngjesin e sotëm rreth orës 06:00, kanë shkuar në shtëpinë e Jakup Krasniqit në Prishtinë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka konfirmuar se aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë.

Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). /Telegrafi/

Exit mobile version