Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka treguar arsyet pse u përça koalicioni LVV-LDK.
Selimi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se kjo parti do të merr pjesë në seancën ku do të votohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë.
Ai ka thënë se kjo parti nuk mund të kontestojë anën ligjore të mocionit, por kanë pasur rezerva për ambientin higjienik të vendit ku do të mbahej seanca, përcjell Telegrafi.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes thotë se pas deklaratës së Agim Veliut nuk ka pasur më hapësira që ky i fundit për të qenë ministër i Albin Kurtit.
“Nëse koalicioni ka qenë i varur nga Agim Veliu s’ka pasur pse të ekzistojë”.
Selimi thotë se LDK e para e shkeli marrëveshjen e koalicionit me LVV-në kur bëri presion për taksën.
“LDK kërkoi ta heqim tarifën, duke hequr dorë nga pjesa tjetër që është shumë më e rëndësishme, e ai ishte reciprociteti. Këtu filloi krisja”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes thotë se mocioni i mosbesimit nuk po bëhet as për Agim Veliun e as për taksën por sipas tij po bëhet për shkak të “marrëveshjes që po pritet mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Qeveria po shkon në mocion mosbesimi për shkak të marrëveshjes që po na pret. Jo për ti hapur rrugë dialogut, por marrëveshjes…Problemi nuk është Veliu e as tarifa por marrëveshja mes Thaçit e Vuçiqit, e cila marrëveshje po pret në sfond”, tha ndër të tjera Rexhep Selimi./Telegrafi/